Në Shqipëri janë identifikuar deri tani tre vatra me prani të gripit të shpendëve, një sëmundje e cila më parë preku vendet përreth nesh. Ndërkohë, në Qarkun Dibër ende nuk ka asnjë vatër të gripit të shpendëve i njohur si H5N8. Këtë e konfirmojnë për Mat Televizion, drejtuesit e shërbimit veterinar për Qarkun e Dibrës.
Ata shprehen se janë marrë të gjitha masat sipas udhëzimeve të nxjerra nga Ministria e Bujqësisë për të monitoruar situatën. Janë bërë njoftimet e nevojshme tek të gjithë grupet e interesit duke i njohur ata me karakteristikat e sëmundjes në fjalë.
Po ashtu, mësohet se edhe dogana e Bllatës është bllokuar për importin e shpendëve nga shteti fqinj i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgaria.
Ky virus mendohet të ketë ardhur nga shpendët migrator dhe është përhapur edhe tek pulat. Në tre vatrat e zbuluara deri tani në Fushë-Krujë, Dajt dhe Tropojë mësohet se kanë ngordhur mbi 300 shpendë.
Ky lloj virusi H5N8 përbën një rrezik të ulët për shëndetin publik, pra përbën rrezik të ulët për njerëzit. Produktet e shpendëve duhet të përgatiten në temperaturë të lartë para se të konsumohen.