Rreth një muaj e gjysmë më parë, dhjetra banorë të Njësisë Administrative Gjoricë në Bashkiinë e Bulqizës u paraqitën në institucione shëndetësore me simptoma të helmimit. Banorët deklaruan në atë kohë që mund të vinte nga konsumimi i ujit të pijshëm në rrjetin e ujësjellësit.

Por edhe pse kanë kaluar 6 javë nga kjo ngjarje, banorët ende nuk konsumojnë ujë nga rrjeti i ujësjellësit i cili merret poshtë fshatit Ostren i Vogël në Njësinë Administrative Ostren. Nga analizat e bëra në burim, ka rezultuar të jetë i ndotur e për këtë është vendosur që të mos konsumohet nga banorët.

Burime për Mat Televizion thanë se banorët ende nuk janë lajmëruar të pijnë ujë nga rrjeti i ujësjellësit ndërsa vijojnë të përdorin burimet natyrale që kanë patur në zonë.

Nga ana tjetër, mësohet se Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Bulqizë po vijon të bëjë analizat e ujit të pijshëm për të ndjekur hap pas hapi në se uji pastrohet.

Një tjetër version jo zyrtarë është që institucionet përgjegjëse kanë vendosur që të ndryshojnë veprën e marrjes së ujësjellësit në burime të tjera për të shmangur kështu një ndotje tjetër të mundshme të ujit të pijshëm të Gjoricës.