Ekipi matjan i futbollit nis nesër zyrtarisht stërvitjen e me këtë rast hap edhe merkaton e verës. Por për trajnerin e ri të Burrelit, teknikun Vladimir Gjoni, e gjithë merkatoja do të zhvillohet në meritëpreferencë. Sipas tij, nuk do të bëhet askush pjesë e skuadrës nëse nuk e meriton. I kontaktuar nga Mat Televizion, Gjoni tregoi edhe objektivat e tij për sezonin e ardhëm në kategorinë e parë. Sa i përket merkatos së verës, Gjoni u shpreh se dyert do të jenë të hapura për të gjithë, lojtarët matjan dhe atyre që vijnë nga qytetet e tjera. Deri tani sipas Gjonit janë në prag të nënshkrimit të kontratës 8 futbollist të cilët përbëjnë bërthamën bazë të ekipit.
“Ishte kënaqësi dhe përgjegjësi e madhe për mua të jem trajner i Burrelit, duke patur parasysh edhe ecurinë e tij në këto dy vitet e fundit. Ideja dhe planet e administratorit të ri të Burrelit na motivojnë dhe na bëjnë besimplotë që do të shkojë gjithçka mirë. Kemi biseduar me të paktën 8 lojtarë që do të jetë bërthama e ekipit nga të gjitha repartet, me të cilët jemi në prag të nënshkrimit të kontratave. Për mua do të jetë e hapur merkatoja për të gjithë kush të dëshirojë të jetë pjesë e Burrelit qoftë për futbollistët matjan qoftë për të tjerët. Për sa të jem në krye të pankinës matjane nuk do të lejoj asnjë ndërhyrje në skuadër. Do të ndërtoj një ekip dinjitoz për të ecur para e për të qenë në krye të kampionatit. Kush do ta meritojë do të jetë pjesë e tij, ndryshe nuk do të veshë fanellën e skuadrës së Burrelit. Për mua ka shumë rëndësi ai që do të derdhë djersë dhe vërtetë e meriton, për të veshur bluzën e Burrelit. Besoj shumë se në bashkëpunim me administratorin do të bëjmë një punë shumë të mirë. Ishte ai që më bindi që të marr përsipër një barrë shumë të madhe dhe jam i bindur se bashkarisht do tja dalim mbanë” – tha Gjoni.
Skuadra do të grumbullohet të enjten në orën 17 në Pezë Helmes për të nisur stërvitjen.