Deklaratës kundër treshes që gjykuan ndeshjen Burreli – Beslidhja të shtunën e kaluar, bërë nga Presidenti i Beslidhjes, Gjok Noka i është përgjigjur Drejtori Teknik i Burrelit, Klevis Gjoka. Në reagimin e tij, Gjoka thotë se justifikimi i kësaj humbjeje të Beslidhjes me akuza ndaj gjyqtarëve është i pabazë pasi Burrelit ishte më lart në këtë takim, duke zhvilluar një volum loje të madh i cili u fnalizu dy herë. Gjoka thotë se pretendimin për golin e dytë të Burrelit sikur është marrë topi nga jashtë vijës fundore është i pabazë e madje qesharak, pasi njëherë u aludua që nuk kishte kaluar vijën fatale në portë e pasi doli video, tani thuhet që u morë jashtë vijës fundore. Gjoka thotë se Beslidhja është një ekip që meriton të respektohet, porse shkaqet e humbjeve duhet t’i shohë brenda vetes e jo tek të tjerët.
“Kemi kaluar 7 javë ndër të cilat kemi pasur shumë raste që mund të kontestonim arbitrat por nuk e kemi bërë pasi ne si klub nuk shohim kurrsesi të gjejmë shkakun tek faktorët e jashtëm por vetëm brenda ekipit. Sa për ndeshjen me Beslidhjen, me gjithë respektin per ekipin kundërshtar rezultati foli qartë. Goli i shënuar nga Mitraj ishte shumë i rregullt pasi nga pozicioni në të cilin erdhi goli po të ishte topi jashtë vijës fundore, edhe me fizikë nuk kishte si të përfundonte në rrjetë. Këtë e kanë faktuar edhe pamjet filmike të transmetuara në media. Beslidhja është një ekip me traditë dhe histori jo vetëm në kategorinë e parë, ndaj mendoj që objektivin duhet ta arrijë me punë e sakrificë, jo duke u shfajësuar e akuzuar të tjerët” – tha Gjoka.
Ndeshja e të shtunës në “Liri Ballabani” mes Burrelit dhe Beslidhjes përfundoi me rezultatin 2 me 0 ndërsa miqëve iu anullua një gol për pozicion jashtë loje.