Gjobitet nga policia kandidati i Pavarur në Dibër Elton Debreshi. Lajmin e ka konfirmuar vetë Debreshi përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar një foto të vendimit të gjobës.

Ai është gjobitur plot 50 milionë lekë të vjetra gjobë, për shkak të një tubimi të mbajtur më datë 26 Mars, të cilin Debreshi e konsideron një tubim të ligjshëm.

“50 MILIONË LEKË GJOBË

Sot komisariati i Bulqizës më njoftoi se jam gjobitur me 5,000,000 lekë të reja për shkak të tubimit të datës 26 mars. Për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mosbotimit të rregullave të reja në fletoren zyrtare, takimi në Bulqizë ka qenë krejt i ligjshëm.

Autori i vërtetë i kësaj gjobe është Edi Rama. Ai dhe partitë e tjera kanë frikë nga mbështetja e madhe që po marrim në çdo fshat dhe qytet të Dibrës. Fakti që për të njëjtat tubime PD nuk gjobitet, tregon se të gjitha partitë janë bashkë. Dje ishin bashkë kundër grevës dhe protestave tona, sot janë bashkë kundër kandidimit të një minatori.

Mua nuk më frikëson një gjobë. As mijëra minatorët dhe qytetarët që po na japin besën kudo.

Kjo copë letër do të hyjë në historinë e turpit të kësaj qeverie.”- shkruan Debreshi.

Kreu i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi po garon si kandidat i pavarur në zgjedhjet e 25 prillit, në qarkun e Dibrës.

Debreshi thotë se synimi i tij është të përfaqësojë e mbrojë interesat e minatorëve të Bulqizës dhe të gjithë Shqipërisë, si minatori i vetëm në Kuvendin e ri./