Të gjithë shoferët që u hiqet patentata apo marrin gjoba më të larta se 5 mijë lekë, nuk do të duhet më të dalin para komisionit në Policinë Rrugore.


Drejtuesit e mjeteve, të konstatuar me shkelje gjatë qarkullimit rrugor, mund t’i paraqesin pretendimet apo dokumentacionin online, përmes portalit qeveritar e-albania: https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=13358

Më pas komisioni merr vendimin dhe lejen e drejtimit do të mund ta tërhiqni pasi të ketë mbaruar afati i pezullimit, pranë Policisë Rrugore.


Patrulla e policisë rrugore konstaton kundravajtjet rrugore të cilat janë objekt i shqyrtimit nga ana e Organeve Administrative Shtetërore që funksionojnë në çdo Drejtori Vendore te Poliocisë. Kundravajtesi mund të kërkojë duke shënuar në procesverbalin e konstatimit që kjo kundërvajtje të shqyrtohet në mungesë duke kryer shënimin përkatës në procesverbal.


Sipas procedurave administrative të përshkruara në legjislacionin rrugor brenda afateve ligjore kjo kundravajtje shqyrtohet dhe i dërgohet online në llogarinë e kundravajtesit në portalin e-Albania; Nëse kundravajtesi kërkon që shqyrtimi në mungesë të kryhet, ai mund të njoftojë nëpërmjet portalit e-Albania, OASH respektive duke klikuar dhe duke ngarkuar edhe dokumenta shtesë të cilat i dërgohen të skanuara OASH-së respektive.

Brenda një afati të përcaktuar prioritar OASH merr vendimin sipas akteve dhe normave të sjelljes dhe vendimi bëhet i lexueshëm dhe i shkarkueshëm në llogarinë e kundravajtësit.

Dokumentacioni i nevojshëm
– Procesverbali i konstatimit të shkeljes; – Çdo dokument tjetër i cili mund të dërgohet nëpërmjet portalit e-Albania tek OASH dhe që mund të ndikojë në përmirësimin e Gjykimit Administrativ të kundravajtjes së kryer

Hapat e procedurës
– Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania; – Zgjidhni shërbimin “Kundërvajtje rrugore OASH”; – Klikoni butonin “Përdor”; – Plotësoni të gjithë të dhënat e nevojshme të kërkuara në formular; – Brenda një afati të përcaktuar prioritar OASH merr vendimin sipas akteve dhe normave të sjelljes dhe vendimi bëhet i lexueshëm dhe i shkarkueshëm në llogarinë tuaj në portalin e-Albania.

Lleshaj

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe drejtues të Policisë së Shtetit inspektuan nga afër punën e OASH, në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë.

“Sot kemi ardhur pranë zyrës së OASH-së Tiranë për të shpallur një vendim dhe një lajm të rëndësishëm, që ka të bëjë me mbylljen fizike të tyre. Duke filluar nga sot këto zyra në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë do të jenë mbyllur.

Qëllimi i kësaj mase është që të eliminojmë detyrimin e qytetarëve për t’u paraqitur në zyra. Nga sot qytetarët, – ata që kanë bërë shkelje të rregullave të qarkullimit, – kanë të drejtën që të gjithë dokumentacionin që duan t’i paraqesin OASH-së, t’ia paraqesin online, përmes e-albania, dhe të kursejnë ardhjen, pritjen dhe humbjen e kohës pranë këtyre zyrave.

Me këtë hap, ne, së pari bëjmë një shërbim për qytetarët, së dyti eliminojmë edhe një mundësi kontakti të drejtpërdrejtë të qytetarëve me komisionet përkatëse. Në mënyrë që të evitojmë të gjitha risqet e mundshme, që kanë gjasa të zhvillohen në këto situata.

Lehtësimi i shërbimeve për qytetarët në të njëjtën kohë është edhe një lloj shtrëngese për ata që shkelin rregullat për arsye se tashmë mundësi e kontaktit bëhet zero. Pra, nuk kanë mundësi të ‘negociojnë’ me asnjë lloj Komisioni.

Kështu që kjo thirrje le të vlejë për të gjithë qytetarët që të sensibilizohen për të shtuar kujdesin në qarkullim.

Shtimi i kujdesit në qarkullimit do të thotë, jetë njerëzish të shpëtuara, shëndet i njerëzve i ruajtur. Dhe besoj që me këto masa jo vetëm që do ta lehtësojmë barrën e qytetarëve shkelës të rregullave të qarkullimit, por do të rrisim edhe më shumë rigorozitetin e vendimmarrjes së komisioneve, të cilat tashmë nuk do ta kenë më përballë qytetarin.

Me këtë rast theksoj dhe kërkoj edhe njëherë forcim të ndërgjegjes qytetare për sjellje të përgjegjshme në rrugë. E kam thënë edhe herë të tjera publikisht që aksidentet rrugore janë një ndër shkaqet kryesore të humbjes së jetës, janë vrasës më i madh se sa vetë vrasësi. Kështu që të gjitha masat që merren në këtë drejtim janë masa në funksion të jetës.

Jo vetëm me këtë masën e sotme, ne do të vazhdojmë së shpejti të paraqesim në qeveri dhe në Kuvend ndryshimet e reja në Kodin rrugor, të cilat po ashtu do t’i shtojnë kërkesat por edhe masat ndaj atyre që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor me synimin e madh që të vazhdojmë të ecim drejt axhendës së reduktimit maksimal të shifrave të aksidenteve dhe dëmeve të tjera në qarkullimin rrugor”, – tha Lleshaj.