Gjimnazi “Shaban Çollaku” në qytetin e Klosit do të hapë dyert për gjimnazistët me 14 Shtator për vitin e ri shkollor 2020 – 2021. Kjo godinë iu nënshtrua një rikonstruksioni të plotë pas probleme që kishte shfaqur në konstruktin e saj e sidomos lagështisë në shumë mjedise.
Godina nisi të rikonstruktohej vitin e kaluar dhe në fund të muajit Shkurt të këtij viti ajo duhej të ishte gati për nxënësit, por situata e krijuar nga pandemia Covid-19, bëri që me 10 Mars mësimi të ndërpritej në të gjithë vendin dhe kjo godinë të mos përdorej.
Ndërkohë puna nga ana e firmës ka vijuar edhe më tej, duke qenë se nxënësit nuk u rikthyen në shkolla për vitin shkollor 2019 – 2020. Ndërkaq, meqenëse rikonstruksioni ka përfunduar, gjimnazistët nuk do të mësojnë më këtë vit në godinën e shkollës 9-vjeçare “tahir Hoxha”, por do të rikthehen në ambjentet e tyre.
Aktualisht ambjentet po bëhen gati, ku po sistemohet baza materiale si dhe po zhvillohen kontrollet e fundit të sistemit elektrik e atij të furnizmit me ujë. Rreth 400 nxënës e mësues do ta nisin vitin e ri shkollor 2020 – 2021 në ambjente të rikonstruktuara.