Gjimnazi “Pjetër Budi”, aktivitet festiv për 28-29 Nëntorin

Gjimnazi “Pjetër Budi”, aktivitet festiv për 28-29 Nëntorin

Në kuadër të festave të 28 e 29 Nëntorit, ditës së Pavarësisë dhe asaj të Çlirimit, nxënësit e gjimnazit “Pjetër Budi” Mat zhvilluan një aktivitet festiv në sallën e koncerteve të Pallatit të Kulturës së qytetit të Burrelit. Në sallën e mbushur plot me nxënës, prindër, mësues si dhe të ftuar nga pushtetit vendor, historian, njerëz të artit, të kulturës e të medias, nxënësit e këtij gjimnazi sollën atmosferën kuqezi përmes recitimeve, aktrimeve, këngëve e valleve të shoqëruara me një kostumografi mbresëlënëse. Fjala përshëndetëse e drejtorit të gjimnazit “Pjetër Budi” Mat, Qemal Sulaj, Kryetarit të Bashkisë Mat, Altin Bojni dhe Drejtorit të Zyrës Vendore Arsimore Mat, Lefter Salaj, kishin si lajtmotiv ruajtjen, pasurimin dhe trashëgiminë brez pas brezi të edukimit atdhetar. Aktiviteti festiv në kuadër të 28-29 Nëntorit u ndoq me interes nga të pranishmit, duke sjellë më pranë shpirtin e traditës dhe emocionin kuqezi të dy festave tona lapidare kombëtare.