Shkolla e mesme e Bashkuar “Haxhi Lata” në Suç të Bashkisë Klos, nuk do të presë këtë vit shkollor nxënës. Vendimi është marrë pas inspektimit të bërë nga ana e ekspertëve të ardhur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë si dhe ajo e Rindërtimit.

Objekti është nxjerrë i papërdorshëm nga ekspertët për shkak të dëmtimeve që ka në konstruktin e tij. Në këto kushte, kjo godinë do të qëndrojë e mbyllur pasi paraqet rrezikshmëri të lartë për ata që mund të futen në të.

Menjëherë pas këtij vendimi, Bashkia e Klosit në koordimin me Zyrën Vendore Arsimore Klos,kanë nisur punën për gjetjen e një zgjidhjeje për më shumë se 200 nxënës që mësonin aty. Burime për Mat Televizion thanë se nxënësit që mësonin në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Haxhi Lata” Suç, do të ndahen në 2 shkolla të tjera të kësaj njësie administrative. Nga Klasa e parë në klasën e pestë pritet të mësojnë në shkollën anekse të fshatit Kujtim, ndërsa pjesa tjetër, do të transferohen në godinën e shkollës 9-vjeçare të fshatit Kurdari.

Po ashtu, ka nisur puna edhe për hartimin e një projekti për ndërtimin e një shkolle të re në fshatin Suç, aty ku është godina ezkistuese.