Vala e emigracionit të personelit shëndetësor, që ka prekur prej vitesh Shqipërinë, rrezikon të përforcohet edhe më tej, për shkak se spitalet gjermane kanë rritur stimujt për tërheqjen e mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria.
Para disa ditësh, një nga spitalet më të mëdhenj në Gjermani solli përfaqësuesit e saj në QSUT, të cilët i bënë një ofertë joshëse personelit të infermierisë, e paaplikuar më parë. Infermierët e përzgjedhur që ishin rreth 20, në një ditë të vetme, do të lënë punën gjatë mësimit të gjuhës gjermane në nivelin B1 në Shqipëri, kundrejt një pagese mujore 400 euro.
Pagesa do të jepet si kompensimin për pagën që punonjësit marrin në QSUT në mënyrë që ata të përfundojnë sa më shpejt mësimin e gjuhës. Më parë, ky stimul nuk mundësohej pasi mësimi i gjuhës vijonte teksa ata ishin në punë. Gjithashtu në kontratën përkatëse, punonjësit gjatë vitit të parë të mësimit në Gjermani do të paguhen me 1500 euro, teksa do t’iu kompensohet një pjesë e qirasë. Pasi të jenë standardizuar njohuritë, pagat do të kalojnë 2000 eurot.
Për shkak të kësaj situate, një nga pavijonet më të rëndësishme të pediatrisë ka mungesë personeli me 30%. Nga 23 infermierë që janë në organikë, gati 6 vende janë të lira, kryesisht për shkak të largimeve drejt Gjermanisë.