Periudha post-zgjedhje nuk ka qenë shumë e favorshme për PD, fillimisht për humbjen e zgjedhjeve që e konsiderojnë vjedhje, dhe gjithashtu edhe për grupimet që tani kanë dalë kundër Bashës duke kërkuar dorëheqjen e tij. A janë zgjedhjet për kryetar të PD zgjidhje për këtë situatë?
Gazetari Bledian Koka tha për Euronews Albania se me rëndësi është që në PD ka ende debat, ndryshe nga çfarë ndodh në partinë në pushtet ku sipas tij ku debati ka vdekur me kohë.
Debati brenda PD në mbledhjen e fundit të kryesisë, ku secili tha hapur fjalën e tij, për gazetarin Koka ka sjellë një lloj relaksimi qoftë nga ana e kritikëve të Bashës, qoftë nga ana e opinionit publik.
ipas tij, pavarësisht retorikës politike, PD e ka njohur tashmë rezultatin e zgjedhjeve dhe gjëja e parë që duhet të bëjë për t’u përballur me pushtetin është rikthimi në institucione.
“Opozita duhet të kthehet patjetër në institucione sepse u provua se braktisja e tyre nuk solli rezultatin që pritet. Rezultati i zgjedhjeve tashmë është njohur nga PD, përtej retorikës politike. Denoncimi i masakrës zgjedhore nuk do të thotë se nuk njihen zgjedhjet. Dënimi i atyre që kanë tjetërsuar votën duhet të jenë shembull për zgjedhjet e radhës”, u shpreh gazetari.