Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, mbajtur një javë më parë, Xhelal Mziu lexoi një fjalim, duke bërë disa gafa në harkun kohor të disa sekondave. Fjalimi i Mziu, i ngjashëm me atë të deputetes së ‘kërpëratave’, shkaktoi të qeshura në radhët e delegatëve. Përpos përmbajtjes me natyrë komike të fjalimit, në video Mziu duket qartë se ka vështirësi të theksuara në leximin e gjuhës shqipe. nullnull
Por, ndryshe nga disa deputetë aktualë që do mbahen mend vetëm për gafat dhe nivelin e mjerueshëm kulturorë, Xhelal Mziu mban edhe titullin ‘Doktor’. Në vjeshtën e vitit 2013, Universiteti Bujqësor në Kamëz i ka dhënë Xhelal Mziut titullin ‘Doktor’. Këtë gradë Mziu e ka marrë pasi Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit shqyrtoi disertacionin me temë “Vlerësimi i leverdishmërisë ekonomike financiare për realizimin dhe administrimin e investimeve publike, studim rasti”, në fushën Ekonomi dhe Agrobiznes, profili Financë-Kontabilitet”. Vetë Mziu shkruante në Facebook se “Mes shumë kualifikimesh, titujsh e nderimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë, kryetarit të Bashkisë Kamëz, zotit Xhelal Mziu, i shtohet edhe një titull mjaft i rëndësishëm shkencor, pikërisht grada “Doktor””.