Ndeshja miqësore mes Tomorit dhe Korabit pati disa momente interesante gjatë dhe pas saj. Dy futbollistë, Klinti Qato i Tomorit dhe Xhuljano Skuka i Korabit, janë duartrokitur nga tifozët e pranishëm në këtë ndeshje, rreth 600 të tillë.

Megjithëse, moti ishte i vrenjtur dhe temperaturat të pranueshme për një ndeshje futbolli, loja u ndal në minutën e 23-të, që futbollistët të freskoheshin me ujë. Pas ndeshjes, drejtuesit beratas janë mbledhur në zyrën e administratorit të klubit për të analizuar lojën e Tomorit, që duhet thënë se nuk i kënaqi.

Më interesante është ajo që ka ndodhur me mikrobusin e Korabit pas ndeshjes. Ai ka pësuar një defekt, por zgjidhja ishte shumë e shpejtë. Automjeti i ekipit mik i është drejtuar autoservisit të babait të Ervis Çaços, lojtarit beratas që luan në radhët e Korabit. Pasi kanë rregulluar defektin, dibranët kanë lënë Beratin.