Është zhvilluar dje ndeshja e javës së 21 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll ku ekipi i Burrelit u përball në stadiumin “Liri Ballabani” me ekipin e Vorës. Ndeshja ishte parashikuar si e vështirë ndërsa fitues kanë dalë miqtë, falë një goli të shënuar nga Hasaj në minutën e 81, i cili është kontestuar gjerësisht nga matjanët.

Megjithatë, miqtë dolën me tri pikë të plota nga kjo përballje duke vijuar të qëndrojnë në krye të kategorisë së parë drejt aderimit të sigurtë në ligën superior vitin e ardhshëm. Skuadra e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj dha maksimumin në fushën e gjelbërt, ndërsa goli i shënuar nga miqtë u konsiderua si i parregullt dhe pati kontestime ndaj gjyqtarit kryesor të ndeshjes Kreshnik Cjapi i cili e konsideroi golin si të rregullt.

Ndërkohë, humbja e kësaj ndeshje nuk i ka kushtuar asnjë vend Burrelit në klasifikimin e përgjithshëm, pasi vijon të qëndrojë në vendin e 4 me 34 pikë të grumbulluara deri tani.

Ndeshjet e javës së 21 u mbyllën me rezultatet: Burreli – Vora 0 me 1, Lushnja  – Flamurtari 0 me 3, Besa – Kukësi 2 me 1, Kastrioti – Valbona 1 me 1, Pogradeci – Korabi 1 me 0 dhe Erzeni – Apolonia 0 me 0.