Të dielën do të luhen dy nga ndeshjet e javës së 12 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll

Të dielën do të luhen dy nga ndeshjet e javës së 12 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Burreli do të presë në stadiumin “Liri Ballabani” ekipin që aktualisht kryeson kategorinë, Flamurtarin që ka 28 pikë po aq sa Vora e vendit të dytë. Ndërsa Besa e Kavajës do të presë në shtëpinë e saj ekipin e Valbonës së Tropojës.

Për teknikun Ditmar Bicaj kjo ndeshje do të jetë një tjetër sprovë e tij, pasi përballë do të ketë ish-ekipin në të cilin ka debutuar për shumë kohë edhe në rolin e zëvendëstrajnerit.

Megjithatë, ndeshja pritet të jetë e vështirë për shkak se vlonjatët po tentojnë rikthimin në ligën superiore, ndërsa Burreli synon qëndrimin në kategorinë e parë edhe për këtë sezon futbollistik.

Stafi teknik i ekimit të futbollit matjan ka punuar gjatë gjithë javës me lojtarët në mënyrë që të mos ketë asnjë gabim në përballjen e së dielës. Formacioni do të jetë i plotë dhe ajo që është kërkuar me ngulm, është vlerësimi i kundërshtarit pavarësisht ecurisë së tij. Gjithsesi për të parë rezultatin e kësaj ndeshje duhet pritur përfundimi i lojës, që nis nesër në orën 14:00, në fushën e stadiumit “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit.