FUTBOLL / NESËR, NDESHJA E FUNDIT E KAMPIONATIT
Të dielën, më 3 maj, zhvillohen ndeshjet e fundit të kampionatit të Kategorisë së Parë në futboll, duke mbyllur zyrtarisht sezonin me javën e 33-të. Të gjitha skuadrat do të zbresin në fushë në një moment vendimtar, ku do të përcaktohen verdiktet përfundimtare të renditjes. Skuadra e KF Burreli do të luajë në transfertë përballë Apolonisë së Fierit, në një ndeshje me objektiva të ndryshëm për dy ekipet. Burreli e ka siguruar mbijetesën dhe synon ta mbyllë sezonin me një rezultat pozitiv, ndërsa vendasit do të luftojnë për mbijetesë deri në fund. Apolonia ndodhet në vendin e fundit të renditjes dhe rrezikon rënien direkte në Kategorinë e Dytë, çka e bën këtë përballje jetike për fatet e saj. Ndërkohë, Burreli hyn në këtë sfidë më i qetë në aspektin e objektivave, por me synimin për të marrë fitoren e fundit të sezonit. Java e fundit përcakton gjithashtu ekipet që do të vijojnë garën në fazën play-off dhe play-out. Skuadrat e renditura në vendet 3, 4, 5 dhe 6 do të luftojnë për një vend në play-off, që u jep mundësinë për t’u përballur me ekipin e vendit të tretë nga fundi të Superligës. Në fund të tabelës, dy ekipet e vendeve 11 dhe 12 do të bien direkt në Kategorinë e Dytë, ndërsa skuadrat e vendeve 9 dhe 10 do të luajnë në play-out për mbijetesë. Ndeshjet e kësaj jave janë: Korabi–Iliria, Kukësi–Besa, Lushnja–Kastrioti, Apolonia–Burreli dhe Luftëtari–Pogradeci.