Ekipi ynë i futbollit Burreli do të luajë të shtunën ndeshjen e javës së 5 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Matjanët përballen në transfertë me ekipin e Kastriotit të Krujës, ndërsa do të tentojnë të mbajnë ecurinë e rezultateve pozitive. Në katër ndeshje të luajtura, skuadra e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj ka siguruar dy fitore dhe dy barazime duke arritur kuotën e 8 pikëve dhe të mbajë aktualisht vendin e 4 në klasifikimin e përgjithshëm.
Megjithatë, ndeshja e nesërme pritet të jetë e vështirë pasi krutanët do të kërkojnë maksimumin e pikëve për shkak se deri tani ka vetëm një fitore dhe një barazim duke siguruar vetëm katër pikë.
Megjithatë, skuadra matjane është e motivuar për të marrë maksimumin e mundshëm, siç ndodhi në ndeshjen e fundit të luajtur në shtëpi ku fitoi përballë skuadrës së Pogradecit. Ndeshjet që do të luhen nesër në orën 16:00 janë: Korabi – Vora, Pogradeci – Erzeni, Kastrioti – Burreli dhe Lushnja – Besa.