Java e 21 e kampionatit të kategorisë së parë në futboll do të vërë përballë ekipit të Burrelit, ekipin kryesues të kampionatit kombëtar, Vorën. Skuadra matjane, e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj, do të ketë një përballje të vështirë nesër, pasi ekipi i Vorës ka blinduar kreun e kategorisë prej shumë javësh. Megjithatë, numri një i pankinës matjane, Bicaj shprehet se asnjë kundërshtar nuk është i vështirë për Burrelin pasi e ka treguar se me ekipet që janë në krye të renditjes kanë patur rezultate pozitive. Bicaj shtoi se gjendja e ekipit është maksimale dhe se me afrimet e reja që janë zyrtarizuar një ditë më parë, skuadra ka kapacitetet e nevojshme për të marrë tri pikë të plota në përballjen e së dielës ndaj skuadrës së Vorës. Ekipi matjan është me moral të lartë dhe se gjithçka do të vendoset të dielën në 90 minutatat e lojës në fushën e gjelbër të stadiumit “Liri Ballabani”.

  Nga ana tjetër, tekniku Ditmar Bicaj u bëri thirrje të gjithë tifozëve matjanë të mbushin shkallët e stadiumit “Liri Ballabani” për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës në sfidën më të rëndësishme të këtij viti kalendarik.