Të shtunën e 14 dhjetorit do të zhvillohen ndeshjet e javës së 16 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Katër nga gjashtë ndeshjet e kësaj jave do të luhen të shtunën, ndërsa dy ndeshjet e tjera, të dielën. Nesër do të përballen: Kukësi – Valbona, Vora – Korabi, Erzeni – Pogradeci dhe Burreli – Kastrioti, ndërsa pasnesër do të luhen ndeshjet midis Apolonisë e Flamurtarit dhe Besës me Lushnjën.

Ndërkohë ekipi matjan i futbollit, i cili do të presë në shtëpinë e tij skuadrën e Kastriotit të Krujës, është në rivalitet direkt me të për shkak se kanë vetëm një pikë diferencë mes tyre. Skuadra matjane e Ditmar Bicajt do të kërkojë pikë të plota ashtu siç bëri në fillimjavë me Pogradecin në mënyrë që të ruajë vendin e katërt në renditjen e përgjithshme të 12 skuadrave të kategorisë së parë.

Megjithatë, gjithçka pritet për tu parë pas përfundimit të lojës së rregullt, e cila nis në orën 13 e 30 minuta, në fushën e stadiumit “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit.

Kategoria e parë në futboll vijon të kryesohet edhe pas javës së 15 nga Vora me 37 pikë, ndjekur nga Besa e Flamurtari me nga 35 pikë.