Ndonëse me rezultatin minimal 1 me 0, fitorja e së dielës së 9 marsit, në stadiumin “Liri Ballkabani” të qytetit të Burrelit, i ka shërbyer shumë skuadrës matjane që të largohet me 10 pikë nga skuadra pasardhëse. Ka qenë Rrapi ai i cili ka shënuar golin e vetëm të kësaj përballje në minutën e 13, për tu mbyllur gjithçka në shifrat: Burreli 1 e Pogradeci 0.
Ndërkohë, këto tri pikë e marra nga Burreli e çojnë skuadrën e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj në kuotën e 47 pikëve, duke e mbajtur 10 pikë larg Lushnjës dhe Pogradecit që janë me nga 37 pikë.
Nga ana tjetër, barazimi 1 me 1 i ekipit të Vorës në Fier me Apoloninë ishte surpriza e javës, pasi me fitoren ndaj Kastriotit 2 me 1, Flamurtari i është afruar me 2 pikë diferencë vendit të parë, Vorës.
Ekipi i Korabit fitoi 2 me 1 ndaj Valbonës në ndeshjen e luajtur në qytetin “Bajram Curri”, ndërsa ekipi i Kukësi fitoi 3 me 0 në përballjen me Erzenin e Shijakut ndeshje e zhvilluar në Fushë Krujë.
Ekipi i Besës mundi thellë dhe pastër 3 me 0 ekipin e Lushnjës. Tashmë gara për vendin e parë të kategorisë është hapur pasi Vora ka 67 pikë, ndjekur nga Flamurtari me 65 pikë dhe Besa me 58 pikë.
Gara për mbijetesën po zhvillohet mes ekipi të Kukësit dhe Korabit që kërkojnë t’i shpëtojë “play-out”. Të dyja skuadrat janë në ndjekje të Apolonisë dhe Kastriotit. Pa shpresa për këtë kampionat futbollistik të kategorisë së parë mund të quhen ekipi i Valbonës dhe ekipi i Erzenit që mbyll tabelën e renditjes.