Ekipi i drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj ka arritur një tjetër sukses këtë të shtunë në ndeshjen e javës së 22 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll, ndaj ekipit të Kukësit. Matjanët kanë arritur të shënojnë tri herë në portën vendase në një ndeshje e cila prodhoi emocion për tifozët e pranishëm në shkallët e stadiumit “Kukës Arena”. Është Farruku ai i cili ka shënuar golin e parë për skuadrën e tij në minutën e 16. Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin minimal Kukësi 0 e Burreli 1. Ndërkohë, dy golat e tjerë janë shënuar në pjesën e dytë.

Është Fetaj që dyfishon shifrat në minutën e 59 dhe më pas ka qenë Murra që ka vulosur rezultatin final Burreli 3 e Kukësi 0, në minutën e 87.

Tri pikët e marra ndaj Kukësit, e mbajnë skuadrën matjane në vendin e 4 në kuotën e 37 pikëve vetëm 6 pikë larg vendit të tretë që është Besa e Kavajës.

Ndërkohë, të gjitha takimet e javës së 22 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll janë luajtur këtë të shtunë dhe përfunduan me rezultatet: Apolonia – Pogradeci 0 me 0, Korabi – Kastrioti – 2 me 1, Valbona – Lushnja 2 me 4, Flamurtari – Besa 3 me 1, Kukësi – Burreli 0 me 3 dhe Vora – Erzeni 5 me 1.