Është zhvilluar në kushte tejet të vështira atmosferike përballja e javës së 16 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll mes Burreli dhe Kastriotit të Krujës. Ndeshja e luajtur në fushën e stadiumit “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit ishte e vështirë për shkak të shiut të pandërprerë dhe mjegullës së dendur. Megjithatë, ekipet arritën të shënojnë në portat respektive ndërsa rezultati final foli për matjanët të cilët arritën të godasin në shenjë në portën mike plot tre herë. Janë miqtë që gjejnë të parët rrjetën e portës së Burrelit në minutën e 11 me Kukën, ndërsa Dedgjonaj barazon shfirat me një gol të shënuar në minutën e 18. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin e barabartë 1 me 1, ndërsa rezultati final do të vendosej në pjesën e dytë.

Ishte Rrapi i cili në harkun kohor të 5 minutave gjen dy herë rrjetën e portës mike, duke i dhënë Burrelit tri pikë shumë të domosdoshme në ecurinë e kampionatit ku gara sa vjen e vështirësohet. Tri pikët e marra në këtë përballje e shkëpusin Burrelin 4 pikë larg Kastriotit që ndodhet në vendin e pestë.

Ndërkohë Kukësi barazoi 1 me 1 me Valbonën e Tropojës ndërsa Vora mundi thellë 3 me 0 në shtëpi ekipin e Korabit të Dibrës.