Nesër do të luhen katër nga 6 ndeshjet e javës së 21 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Matjanët presin këtë javë në “shtëpi” ekipin e Tomorit të Beratit i cili momentalisht ndodhet i parafundit në klasifikimin e përgjithshëm të 12 skuadrave të kësaj kategorie.

Por megjithë pozicionimin e kundërshtarit, skuadra matjane ka marrë porositë e fundit  nga tekniku Klevis Hima të mos bëjë asnjë neglizhim pasi historia ka treguar se ekipet në dukje të dobëta, arrijnë të marrin fitore edhe në shtëpinë tonë.

Për shkak se kampionati ka ardhur të vështirësohet nga gara e fortë, stafi teknik i pankinës matjane ka udhëzuar djemtë e Burrelit që të japin maksimumin në çdo ndeshje pavarësisht se kush do të jetë kundërshtari.

Të shtunën përballja me beratasit do të jetë e nxehtë, pasi miqtë pritet të jenë shumë kërkues për shkak të pozicionimit ku ndodhen në tabelën klasifikuese.

Aktualisht, ekipi i Burrelit ndodhet në vendin e 9 me 19 pikë në total të siguruara në 20 ndeshje të luajtura deri tani. Bylis është shkëputur nga Elbasani duke zënë kreun e tabelës me 48 pikë, kundrejt këtij të fundit me 46 pikë.

Ndeshjet e tjera që do të luhen nesër janë, Apolonia – Kastrioti, Besa – Bylis dhe Elbasani – Luzi Vogël.