Të shtunën e 26 tetorit ekipi ynë i futbollit Burreli do të presë në shtëpi ekipin e vendit të fundit të kategorisë së parë, Erzenin e Shijakut. Ndonëse parashikohet të jetë një ndeshje e lehtë për ekipin e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj, skuadra ka marrë udhëzimet e nevojshme për të mos bërë asnjë neglizhencë pasi çdo takim vlerësohet njëlloj pavarësisht vendit në të cilin pozicionohet kundërshtari në tabelën klasifikuese.

Skuadra matjane hidhet në javën e 9 të kësaj kategorie me barazimin e mbajtur një javë më parë në ndeshjen në transfertë ndaj Apolonisë së Fierit e cila përfundoi me rezultatin 1 me 1.

Mundësitë e matjanëve për ta fituar këtë përballje dhe vendin e katërt të cilin e mbanin deri në javën e 8 janë të mëdha për shkak se ekipi mik ka deri tani vetëm 2 pikë të grumbulluara në dy barazime të mbajtura në 8 javë kampionat.

Gjithsesi duhet pritur përfundimi i 90-të minutave lojë të shtunë, ndeshje cila zhvillohet në orën 14:00 në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit.

Të gjitha takimet e kategorisë së parë do të luhen në të njëjtën orë ditën e shtunë.