Janë zhvilluar të dielën një pjesë e takimeve të javës së 13 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Matjanët luajtën në Tropojë përballë ekipit të Valbonës, një ndeshje e cila përfundoi me rezultat të thellë 4 me 0 për Burrelin.
Skuadra e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj e ka gjetur rrjetën e portës vendëse në minutën e 43 me Rosin. Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin Valbona 0 e Burreli 1. Ndërkohë, tre golat e tjera kanë ardhur gjatë pjesës së dytë të takimit të zhvilluar në stadiumin “Vëllezërit Gega”. Ka qenë Farruku ai i cili ka dyfishuar rezultatin në minutën e 73, ndërsa 9 minuta më vonë është Zani që çon shifrat në 3 me 0. Lamçe do të shënonte autogol në portën e skuadrës së Valbonës për ta çuar rezultatin final në 4 me 0 në favor të skuadrës së Burrelit.
Flamurtari fitoi ndaj Erzenit me rezultatin 2 me 1, Korabi u mund në shtëpinë e tij nga Besa me rezultatin 3 me 0, Kukësi u mund në stadiumin “Zeqir Ymeri” nga Vora me rezultatin e thellë 4 me 0, ndërsa Pogradeci fitoi minimalisht ndaj Lushnjës me rezultatin 1 me 0. Aktulisht Flamurtari mban vendin e parë me 32 pikë ndjekur nga Besa e Vora me nga 31 pikë. Burreli renditet në vendin e 5 me 20 pikë, ndërsa tabela mbyllet nga Erzeni i Shijakut me 2 pikë.