Ekipi ynë i futbollit “Burreli” ka marrë një tjetër pikë të rëndësishme këtë të hënë në përballjen në transfertë ndaj Apolonisë së Fierit. Matjanët arritën të dalin me rezultat pozitiv nga kjo ndeshje falë golit të shënuar nga Farruku në minutën e 52 të pjesës së dytë. Megjithëse kaluan të parët në avantazh, djemtë e Burrelit nuk kanë arritur ta mbajnë të tyren këtë fitore, pasi vetëm 15 minuta më vonë vendasit do të barazonin me Maksutin.
Barazimi i të hënës ndaj Apolonisë së Fierit i ka kushtuar një vend në tabelë Burrelit që zbret në vendin e pestë. Kjo pasi Kastrioti i Krujës arriti të fitonte të dielën ndaj Kukësit me rezultatin minimal 1 me 0.
Ndeshjet e tjera të javës së 9 përfunduan Vora – Lushnja 1 me 0, Valbona – Korabi 0 me 1, Erzeni – Besa 0 me 0 dhe Flamurtari – Pogradeci 4 me 0.
Në javën e 9, situata e renditjes në kapionatin e kategorisë së parë ka ndryshuar: Besa e Kavajës ka humbur kreun e kësaj kategorie që aktualisht mbahet nga Flamurtari i Vlorës me 21 pikë, i ndjekur nga Vora po me aq pikë. Në vendin e fundit renditet Erzeni i Shijakut me 2 pikë në total.