Të dielën e 10 Nëntorit ekipi i Burrelit zhvilloi ndeshjen e javës së 12 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Matjanët pritën në stadiumin “Liri Ballabani” ekipin e Flamurtarit të Vlorës, ndeshje e cila përfundoi me rezultatin 1 me 1.

Të parët që kanë kaluar në avantazh janë matjanët. Gjatë një aksioni në portën vlonjate në minutën e 30, lojtari i Flamurtarit Alla prek topin me dorë dhe gjyqtari kryesor i takimit vendos për penallti. Kjo e fundit ju besua Farrukut i cili ka goditur saktë dhe arrin të kalojë ekipin e tij në avantazh.

  Ndërkohë gëzimi i matjanëve nuk do të zgjaste shumë. Miqtë barazojnë shifrat në minutën e 34. Një dalje e gabuar e portierit matjan i dha ekipit mik penallti. Do të ishte Marku ai i cili nuk do të gabonte në gjuajtjen e tij, duke barazuar shifrat në 1 me 1.

 56 minutat e mbetura të lojës nuk sollën ndryshim rezultati duke u mbyllur gjithçka në 1 me 1. Ndërkohë, ndeshja e parë e këtij sezoni e luajtur në Vlorë është fituar nga Burreli me rezultatin 2 me 1.

Ekipi i Flamurtarit tashmë kryeson me vetëm një pikë larg Besës së Kavajës dhe ekipit të Vorës që kanë nga 28 pikë. Burreli mbetet në vendin e 5 me 17 pikë, ndërsa tabela mbyllet me Valbonën e Erzenin me 9 dhe 2 pikë.