Ekipi ynë i futbollit Burreli ka arritur të triumfojë në ndeshjen e javës së 17 të kampionatit të kategorisë së parë, ku mundi në transfertë ekipin e Lushnjës, ndonëse me rezultat minimal. Matjanët shënuan një gol në fushën e stadiumit “Roza Haxhiu” të Lushnjës, duke marrë një tri pikësh shumë të rëndësishëm deri në këtë pikë të kampionatit.
Ka qenë Arango ai i cili i ka dhënë tri pikë të plota skuadrës së drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj me golin e tij të shënuar në minutën e 45.
Vendësit nuk kanë arritur për asnjë moment që të godasin rrjetën e portës matjane, duke bërë që i gjithë takimi të mbyllej Lushnja 0 e Burreli 1. Tri pikët e kësaj të shtune e kanë çuar Burrelin në kuotën e 30 pikëve, duke krijuar një diferencë prej 7 pikësh me pasardhësin në renditje, Kastriotin.
Ndërkohë, ndeshjet e tjera të luajtura këtë të shtunë përfunduan Korabi – Kukësi 2 me 1 dhe Valbona – Flamurtari 0 me 1.
Të dielën do të luhen takimet e tjera Pogradec – Vora, Kastrioti – Erzenit dhe Besa me Apolonia.