Futboll / Burreli fiton minimalisht ndaj Erzenit dhe bën terren në tabelë

0
22

 Janë zhvilluar këtë të shtunë të gjitha ndeshjet e javës së 9 të kampionatit kombëtar të kategorisë së parë në futboll. Ekipi i Burrelit priti në “shtëpi” skuadrën e Erzenit të Shijakut, ekip i cili ndodhet në vendin e fundit të tabelës klasifikuese.

Matjanët janë mjaftuar me një gol të shënuar me penallti në minutën e 20 nga Farruku për të marrë tri pikë të plota në këtë përballje dhe duke fituar një vend në renditjen e përgjithshme të 12 ekipeve. Skuadra e drejtuar nga Ditmar Bicaj bëri një lojë të qetë dhe pa nerv me shijakasit të cilët nuk po arrijnë të gjejnë dot fitore në këtë sezon.

Me këtë fitore Burreli arrin në kuotën e 15 pikëve duke lënë pas Kastriotin e Krujës. Ndërkohë, Besa dhe Vora ndanë nga një pikë në përballjen e sotme pasi takimi përfundoi me rezultatin 1 me 1. Flamurtari arriti të marrë tri pikë të plota kundër Kastriotit të Krujës. Korabi u mund në shtëpinë e tij nga Apolonia e Fierit me rezultatin 2 me 0. Ndërsa Lushnja mundi thellë Kukësin 5 me 0, Pogradeci fitoi minimalisht në shtëpi ndaj ekipit Valbona të Tropojës.