Ekipi ynë i futbollit “Burreli” e ka mbyllur këtë të mërkurë rrugëtimin në garën për kupën e Shqipërisë për sezonin 2024 – 2025. Matjanët u mundën në Fier nga ekipi i Apolonisë me rezultatin 2 me 1.
Të tre golat e këtij takimi janë shënuar në pjesën e parë ku miqtë janë të parët që kalojnë në avnatzh me Ndubuizi në minutën e 26 dhe më pas dyfishojnë shifrat në minutën e 37 me Umejegon. Ndërkohë, ekipi i Burrelit shënoi golin e vetëm të kësaj sfide në minutën e 42 me Arangon.
Pjesa e dytë nuk ka sjellë asnjë ndryshim të rezultatit ku gjithçka u vulos, Apolonia 2 e Burreli 1, duke bërë që ekipi i futbollit Burreli të skualifikohet përfundimisht nga gara për kupën e Shqipërisë, ndërsa Apolonia të kalojë në turin tjetër eleminator.
Me largimin nga gara për kupën e Shqipërisë tashmë Burreli pritet t’i përqendrojë të gjitha forcat në ndeshjet zyrtare në kampionat, ku takimi i radhës do të jetë të dielën ndaj Valbonës së Tropojës.