FUTBOLL / BURRELI E NIS ME BARAZIM KAMPIONATIN, PROBLEME E TENSIONE NË FUSHË NGA DREJTUESIT E KASTRIOTIT

FUTBOLL / BURRELI E NIS ME BARAZIM KAMPIONATIN, PROBLEME E TENSIONE NË FUSHË NGA DREJTUESIT E KASTRIOTIT

Skuadra jonë e futbollit Burreli nisi të dielën e 6 Shtatorit zyrtarisht garën për sezonin e ri futbollistik 2026 – 2027. Matjanët pritën në stadiumin “Liri Ballabani” skuadrën e Kastriotit të Krujës. Ndonëse ndeshja duhej të ishte një fair play, ajo pati tensione gjatë gjithë kohës. Drejtues të ekipit krutan nuk u pajtuan me rezultatin si dhe me gjykimin e ndeshjes dhe krijuan incidente herë pas here. Krutanët i kanë shënuar golat e tyre në harkun kohor të 11 minutave që në pjesën e parë me dopietën e Kapllanit, ndërsa për Burrelin goli i parë u shënua në minutën e 33. Pikërisht nga kjo minutë kanë nisur tensionet në fushë, teksa drejtuesit e klubit krutan protestuan në mënyrë të vazhdueshme ndaj gjyqtarëve por edhe duke provokuar tifozërinë e Burrelit. Kjo ka bërë që gjyqtari kryesor i takimit të akordojë plot 4 karton të kuq, tre për miqtë dhe një për vendasit. Për miqtë u ndëshkuan lojtarët Hasa e Vogli si dhe trajneri Ramazan Ndreu, ndërsa për Burrelin, Rrapi. Mes tensionit në fushë, matjanët gjetën golin e barazimit me Xhabrahimin në minutën e 90-të. Ndërkohë, për tensionet e krijuara në fushë nga stafi teknik i Kastriotit pritet të mblidhet komisioni i disiplinës në FSHF dhe të japë verdiktin sipas raportit të dërguar nga përfaqësuesit e saj në këtë ndeshje.