Janë zhvilluar të dielën ndeshjet e javës së 11 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Ekipi i Burrelit priti në shtëpinë e tij ekipin e Kukësit, një ndeshje e cila pati nerv edhe për shkak të gjykimit. Matjanët kërkuan me ngulm që ta fitonin këtë ndeshje e cila kishte një rëndësi shumë të madhe në ecurinë e skuadrës për të qëndruar në vendet e para të kategorisë së parë, por nga ana tjetër, kuksjanët të cilët kanë humbur thellë në ndeshjet e fundit, arritën që ta mbanin portën e paprekur.
Nervozizëm i dhanë lojës edhe gjyqtarët e këtij takimi, ku ndaj tyre matjanët protestuan disa herë. Kjo krijoi episode tensioni duke bërë që kryesori i takimit të akordonte plot nëntë karton të verdhë dhe një të kuq.
Loja vazhdoi me tensione deri në minutën e fundit, ku edhe 10 minutat shtesë të dhëna pas 90-të minutave të rregullta nuk ndryshuan asgjë, duke u mbyllur gjithçka Burreli 0 e Kukësi 0.
Ky brazim i ka kushtuar Burrelit një vend në renditje, pasi ka zbritur në vendin e pestë.
Në takimet e tjera të javës së 11, Kastrioti i Krujës fitoi përballë Korabit me rezultatin 4 me 3. Pogradeci fitoi përballë Apolonisë me rezultatin 1 me 0, Lushnja u mund nga Valbona në shtëpi me rezultatin 0 me 2 dhe Erzeni u mund nga Vora me rezultatin 0 me 1.