Pas fitores së arritur një javë në parë në transfertën ndaj Flamurtarit të Vlorës, ekipi i futbollit Burreli, arriti të marrë një tjetër tri pikësh të rëndësishëm të shtunën e 9 marsit në stadiumin “Liri Ballabani”. Matjanët fituan përballë ekipit të Vorës, një skuadër aspak e lehtë gjatë këtij sezoni pasi ka arritur të sigurojë plot 45 pikë duke u vendosur në garë për vendin e tretë me vlonjatët. Megjithatë, matjanët e zhbllokuan rezultatin që në minutën e 7 me Dulajn, duke i dhënë më shumë forcë skuadrës.

Ish sulmuesi i Burrelit, Raboshta do të barazonte shifrat në minutën e 33 pas një gjuajtje të një goditje dënimi, duke bërë që loja të nistye si nga minuta e parë.

Rezultati i kësaj ndeshje do të vulosej në minutën e fundit të pjesës së parë teksa Dikson shfrytëzon bukur të top të dhënë nga kapiteni i skuadrës matjane, Stana.

Pjesa e dytë dhe 10 minutat shtesë të dhëna nga gjyqtari kryesor i takimit, nuk i mjaftuan Vorës për të ndryshuar rezultatin që ishte vendosur në fund të pjesës së parë duke u mbyllur gjithçka Burreli 2 e Vora 1. Me tri pikët e marra në këtë përballje Burreli ngjitet në vendin e 7 me 28 pikë.