Fusha e mbetjeve në Plan të Bardhë vijon të jetë në flakë
Prej ditës së enjte, zjarri në fushën e mbetjeve në vendin e quajtur "Kalpaç" mbi fshatin Plan i Bardhë të Bashkisë Klos, vijon të jetë aktiv, ndërsa tymi ka mbuluar zonën duke shkaktuar ndotje të madhe të ajrit. Ndërhyrja është bërë menjëherë pas njoftimit të marrë në Shërbimin Zjarrfikës të Klosit. Mjetet e këtij stacioni zjarrfikës dhe të Bashkisë Bulqizë kanë qenë në terren që prej ditës së djeshme rreth orës 16:00 kur është aktivizuar zjarri. Shefi i Shërbimit Zjarrfikës Klos, Shkëlqim Dedolli tha se fikja e zjarrit brenda fushës së mbetjeve është e vështirë, ndërsa po punohet që flakët të mos kalojnë në masivin pyjor me dushqe që mund të zbresë deri tek banesat e fshatit Plan i Bardhë. Ndërhyrja vijon edhe me mjete zjarrfikëse por edhe me mjete të tjera nga punonjësit për të shmangur zgjerimin e vatrës së zjarrit. Fusha e mbetjeve mbi fshatin Plan i Bardhë shërben si venddepozitim për mbeturinat e dy bashkive Klos e Bulqizë, sipas një marrëveshje që kanë të dy këta njësi vendore prej disa vitesh.