Temperaturat e nxheta të Korrikut kanë shtuar nevojën për vaditjen e të mbjellave bujqësore. Banorët e fshatit Fullqet në Bashkinë e Klosit, po përballen me mungesën e ujit vaditës. Banorët ankohen se bimët po ju thahen nga i nxehti, ndërsa kanali vaditës nuk funksionon për të marrë ujin për nevojat e tyre. Sipas tyre, kjo situatë vazhdon prej vitesh dhe se ende nuk është zgjidhur.

Por banorët ngrejnë një tjetër shqetësim, ku thonë se gjatë dimrit banesa e tyre përmbytet nga ujërat e shiut, pasi rrjedhat përfundojnë në banesën e tyre. Ata kërkojnë që të gjendet një zgjidhje nga ana e institucioneve përgjegjëse, pasi nuk mund të vazhdohet gjatë kështu. Të mbjellat e këtij viti ata janë gati t’i korrin pasi po thahen në ara.

Fshati Fullqet në Bashkinë e Klosit dikur njihej si hambari i Matit për shkak të prodhimit të madh që bënte. Por pas dëmtimit të veprave vaditëse pas viteve 90-të në këtë fshat mungon uji, e për këtë arsye, nuk ka shumë prodhime.