Prej tre dekadash zonat rurale vijojnë të braktisen nga banorët për shkaqe nga më të ndryshmet. Por situata shqetësuese është për shkak të braktisjes nga rinia. Këtij fati nuk i ka shpëtuar as fshati piktoresk Krajkë në Njësinë Administrative Zerqan në Bashkinë e Bulqizës.
Pamja e fshatit është vërtetë e trishtueshme teksa sheh banesa të rrënuara, të vjetëruara e mbi të gjitha që në to nuk banon askush. I vetmi banor që takojmë në këtë fshat jo shumë larg rrugës nacionale, është Ibrahim Lela.
Ai na tregon se si mungesa e vëmendjes nga qeveritë dhe pushteti vendor i ka detyruar banorët të largohen në mënyrë të vazhdueshme. Sipas tij, fshati tashmë ka marrë një pamje të frikshme, sikur banesat e rrënuara të përpijnë.
“Banorët janë larguar vazhdimisht që nga viti 1990. Dikur këtu banonin rreth 500 banorë, ndërsa sot janë apo nuk janë rreth 100. Arsyet janë të shumta, pasi nga qeveria apo bashkia nuk është bërë asgjë në këto vite, rrugët janë si mos më keq, uji i pijshëm mungon e po ashtu edhe ai vaditës. Arsyeja kryesore është mungesa e punës për rininë e cila është detyruar të marrë rrugët e emigracionit, ose të shpërngulet në qytetet e mëdha si Tiranë e Durrës” – tha Lela.
Sipas banorit Ibrahim Lela, dikur fshati banohej nga rreth 500 banorë, ndërsa sot ka më pak se 100.