Fshati Zogjaj, në Njësinë Administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë, po shkon drejt shuarjes së plotë. Dikur një komunitet i gjallë me 122 familje para viteve ’90, sot ky fshat numëron vetëm 15 familje, kryesisht të moshuar që luftojnë çdo ditë me mungesën e kushteve bazë të jetesës.
Shtrirë rrëzë malit të Bllacës dhe i pasur me resurse natyrore, Zogjaj mund të kishte qenë një destinacion i rëndësishëm për turizmin malor. Por mungesa e investimeve dhe vëmendjes institucionale e kanë lënë atë në një gjendje të mjerueshme. Banorët e mbetur thonë se fshati i tyre i ngjan një vendi të sapo dalë nga lufta.
Dikur me shkollë, ambulancë dhe shtëpi lindjeje, sot Zogjaj nuk ka asnjë shërbim shëndetësor. Banorët e moshuar duhet të bëjnë një rrugëtim prej katër orësh vajtje-ardhje deri në Shupenzë, edhe për një injeksion të thjeshtë. Shpesh, për shkak të këtyre vështirësive të udhëtimit, ata detyrohen të mos marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Në këtë fshat gati të braktisur, të vetmit banorë që takuam ishin Bardhyl Krruca dhe Bajram Kaja, të cilët shprehen se ndihen të harruar nga shteti.
Nëse nuk merren masa për zhvillimin e zonës, Zogjaj do të bëhet një tjetër fshat që do të shuhet në heshtje nga harta e Shqipërisë.