Demtohen oredite e shkolles "Asllan Keta". Ngjarja ka ndodhur gjate fundjaves.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në ambientet e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Asllan Keta” në Fushë-Bulqizë, ku gjatë fundjavës janë dëmtuar disa ambiente të shkollës, përfshirë edhe klasa të ciklit 9-vjeçar. Ngjarja është konstatuar mëngjesin e kësaj të hëne, në momentin kur stafi pedagogjik dhe nxënësit janë paraqitur për të nisur procesin mësimor. Pamjet brenda ambienteve të shkollës tregojnë banka dhe karrige të përmbysura e të dëmtuara, materiale mësimore të shpërndara në dysheme, dosje të nxënësve të grisura dhe pajisje të dëmtuara. Sipas burimeve pranë drejtorisë së shkollës, menjëherë pas konstatimit të ngjarjes është njoftuar Policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje për kryerjen e veprimeve të para hetimore. Nga verifikimet paraprake dhe këqyrja e kamerave të sigurisë dyshohet se në ambientet e shkollës kanë hyrë disa të rinj, pjesë e kësaj shkolle, të cilët mendohet se janë futur nga pjesa e pasme e godinës duke shmangur hyrjen kryesore. Mësohet se janë shoqëruar disa nxënës dhe prindër të tyre për t’u pyetur në lidhje me aktin e vandalizmit, ndërsa kamerat e sigurisë janë sekuestruar dhe po analizohen për të zbardhur ngjarjen dhe përgjegjësit konkretë. Shkolla “Asllan Keta” është një shkollë e mesme e bashkuar, ku në të njëjtën godinë zhvillojnë mësim nxënës nga klasa e parë deri në klasën e 12-të. Nxënësit e klasave 10, 11 dhe 12 i përkasin gjimnazit, ndërsa dëmtimet kanë prekur edhe ambientet e ciklit 9-vjeçar. Prindër të kontaktuar nga Bulqizaime.al shprehen se ngjarja duhet parë me shumë shqetësim, jo vetëm për dëmet materiale të shkaktuara në ambientet e shkollës, por edhe si një tregues i problemeve që po përjeton brezi i ri. Sipas tyre, sjellje të tilla tregojnë largimin e të rinjve nga dija, mungesën e përgjegjshmërisë dhe afrimin me modele të dhunës dhe sjelljeve problematike. Ata tregojnë se në disa ambiente të klasave janë gjetur shishe alkooli dhe dyshohet edhe për lëndë narkotike, çka ka rritur më tej shqetësimin e prindërve. “Është shumë e rëndë ajo që kemi parë. Nuk është thjesht dëmtim bankash apo klasash, por një alarm për mënyrën si po rriten disa të rinj sot”, shprehet një prind për Bulqizaime.al. Prindërit kanë kërkuar më shumë përgjegjësi nga institucionet dhe edukimin në familje. Gjithashtu forcim të masave të sigurisë në institucionet arsimore dhe marrjen e masave konkrete për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen. Burimi. Bulqiza ime.