Eric Wendt Nis Detyrën si Ambasador i SHBA-së në Shqipëri: Ja Prioritetet

Eric Wendt Nis Detyrën si Ambasador i SHBA-së në Shqipëri: Ja Prioritetet

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit Begaj në Pallatin e Brigadave, duke nisur zyrtarisht detyrën e tij.

Një ditë më parë, ambasadori i ri mbërriti dhe u prit nga drejtues të protokollit të shtetit dhe përfaqësues të ambasadës. Pas një qëndrimi prej rreth 20 minutash në terminalin VIP në Rinas, ambasadori amerikan u shfaq për herë të parë në vendin tonë. Më pas, makina me flamurin amerikan u nis drejt Tiranës për një ndalesë të parë në selinë diplomatike në Rrugën e Elbasanit.

Të mërkurën parashikohet që ambasadori Eric Wendt do të zhvillojë takimin e parë me ministrin Ferit Hoxha në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ditën e premte, më 2 tetor, Ambasada Amerikane në Tiranë do të organizojë ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri në një hotel në qendër të kryeqytetit. Kjo pritje mbart një rëndësi të veçantë politike, pasi vëmendja do të përqendrohet tek lista e të ftuarve dhe, veçanërisht, prania apo mungesat nga të dy krahët e politikës.

Gjatë dëgjesës në Senatin Amerikan, Eric Wendt paraqiti katër prioritete që do të udhëheqin mandatin e tij:

  • 1. Mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave amerikane, përfshirë mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.
  • 2. Mbështetja e progresit të Shqipërisë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në vitin 2035.
  • 3. Promovimi i diplomacisë ekonomike dhe tregtare në dobi të qytetarëve.
  • 4. Fokusi te njerëzit e ambasadës, duke përfshirë një linjë pune që e quajti “Faktorët njerëzorë”, e cila do të synojë përdorimin e mënyrave standarde dhe kreativitetit.

Ish-gjenerali Eric Wendt e nis misionin e tij diplomatik në Shqipëri, pas një periudhe 3-vjeçare gjatë së cilës Washingtoni hasi vështirësi në Senat për të sjellë një ambasador, që nga mbarimi i mandatit të Yuri Kim në Qershor 2023.