Pjesa më e madhe e të rinjëve në kohët e sotme e shohin jetesën në fshat me pamundësi për të ndërtuar të ardhemen. Të gjendur në këtë situatë ndoshta të frymëzuar edhe nga pjesa tjetër e rinisë që jeton në zonat urbane, ata kanë migruar apo emrigruar, duke e lënë fshatin pothuajse vetëm në dorë të moshës së tretë. Në fshatrat e Njësisë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit, ato që merren me punët e stinës në bujqësi janë pjesa më e madhe mosha e tretë, shumë pak mosha e mesme, por nuk biejnë në sy të rinjtë për të bërë këto punë. Banorët thonë se jo vetëm të rinjtë e kanë braktisur fshatin pasi nuk shohin të ardhme në të, por edhe uniteti mes tyre është zbehur. Ndonëse dikur punët bëheshin bashkarisht, pra duke ndihmuar njëri-tjetrin, sot nuk mund të gjesh as punëtor me pagesë për të bërë punët e fshatit. Një pjesë e banorëve mendojnë se kjo braktisje e fshatit nga të rinjtë ka ardhur si pasojë e kostove të larta që nevojiten për kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore, e një pjesë tjetër, mendojnë se të rinjtë nuk kanë mundësi më ta ndërtojnë jetën aty.