s Fshati Mishtër është një ndër fshatrat më të vështirë të Njësisë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit. Dy problemet kryesore të këtij fshati janë rruga dhe uji vaditës. Banorët thonë se prej dy vitesh në rrugën e tyre nuk ndërhyhet, duke e kthyer atë gati të pakalueshme për shumë automjete. Po ashtu, banorët shprehen se kanë mungesë të ujit vaditës gjatë sezonit, duke bërë që të mos kenë shumë prodhime bujqësore. Liman Disha kërkon që të ndërhyhet sa më parë, pasi rruga është shumë e rëndësishme për ta. Ashtu si në çdo fshat tjetër, Lima thotë se edhe në fshatin e tij, banorët mundohen të zbatojnë rregullat për tu mbrojtur nga Covid-19, duke respektuar distancimin social dhe ndaluar të gjitha vizitat tek njëri-tjetri.