Fshati Madhesh në Njësinë Administrative Ulëz në Bashkinë e Matit është ndër fshatrat pothuajse 100% i braktisur. Para 20 vitesh në këtë fshat jetonin më shumë se 20 familje, ndërsa sot në të nuk banon askush. Banorët që jetonin dikur aty thonë se arsyet kryesore të braktisjes së këtij fshati piktoresk kanë qenë dy, dëmtimi i urës që i lidh me rrugën nacionale dhe mungesa e energjisë elektrike. Për këtë të fundit, ata thonë se në rrjet nuk u investua pas viteve 90-të edhe pse fshati nuk është më larg se 1 kilometër nga hidrocentrali i Shkopetit.
Banorët thonë se tashmë fshati mund të kthehet në shërbim të turizmit, pasi pritet të investohet në urën e dëmtuar si dhe hapjen e rrugëve në këtë fshat. Ura është problemi më i madh për banorët pasi thonë se kanë qenë dëshmitar të aksidentëve të turistëve të cilët tentuan të vizitojnë Madheshin, por mbetën varur në urë.
Banorët e larguar prej aty pretendojnë që të rikthehen me investime në banesat e tyre duke i kthyer në bujtina për turizëm, nëse do të riparohet ura dhe do të hapen rrugë në fshat.