Frekuentuesit e llixhave në qytetin e Peshkopisë ankohen për kushte jo të përshtatshme të ambjenteve ku qëndrojnë në ujërat termale. Sipas tyre, ka shumë nevojë që të investohet qoftë në vaskat e qëndrimit, e qoftë në ambjente të tjera. Ata thonë se gjendja e godinave dhe vaskave sa vjen e amortizohet, pasi nuk bëhet asnjë ndërhyrje.

Në këto kushte, mësohet se numri i atyre që i frekuentojnë këto ujëra termale, sa vjen e zvogëlohet çdo ditë e më shumë. Megjithëse në Peshkopi shkojnë jo vetëm nga e gjithë Shqipëria, por edhe Kosova, tendenca e frekuentuesve është në ulje për shkak të amortizimit të ambjenteve ku duhet të qëndrojnë në ujërat termale.
Situatën shqetësuesese e tregojnë edhe pronarët e hoteleve përreth të cilët ofrojnë akomodimin e frekuentuesve të llixhave. Ata shprehen se numri i rezervimeve ka rënë në 40% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Pronarët e bizneseve thonë se edhe pse paguajnë të gjitha detyrimet ndaj Bashkisë Dibër dhe shtetit, këta të fundit nuk investojnë në godina apo vaska të ujërave termale. Në këto kushte, sipas tyre, tendenca e atyre personave që kanë nevojë për trajtim me ujëra termale, po i drejtohen vendeve të tjera si Elbasanit dhe Fushë Krujës.

Pak muaj më parë ujërat termale të Peshkopisë u tentua t’i jepeshin një private, ndërsa ishte këmbëngulja e qytetarëve që bëri anullimin e vendimit të Këshillit të Basenit të ujërave Drin-Bunë me seli në Shkodër.