Fëmijët nga mosha 3 deri në 6 vjeç në fshatin Frankth të Njësisë Administrative Komsi në Bashkinë e Matit shumë shpejt do të kenë një godinë të re kopshti. Ambjentet ku ata kanë qëndruar deri tani kanë qenë problematike dhe të amortizuara. Bashkia e Matit hartoi një projekt për ndërtimin e një objekti të ri pranë shkollës 9-vjeçare “Shaban Kërtuka”. Projekti në fjalë gjeti mbështetjen e organizatës jofitimprurëse “Vizion” e cila do të financojë gjithë investimin. Këtë të martë përfaqësues të Bashkisë Mat dhe drejtues të kësaj organizate, asistuan në fillimin e punimeve. Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë Mat, Elson Reçi tha se godina do të ketë kapacitet deri në 50 fëmijë, ndonëse numri aktual i frekuentuesve është afro 30.
Drejtoresha Ekzekutive e Vizion O.J.F, Suela Koçibellinj tha se e rëndësishme në zbatimin e këtij projekti është bashkëpunimi me banorët të cilët më pas bashkë me stafin që do të edukojë fëmijët do të duhet të kujdesen për të.
Godina e re e kopshtit për fëmijët e fshatit Frankth pritet të ndërtohet brenda 3 muajve.