Forcat e Armatosura vijojnë të jenë një mundësi e mirë punësimi për të rinjtë në mbarë vendin. Vazhdimisht bëhen thirrje për aplikime si ushtarë profesionist, por edhe pozicione të tjera.

Aktualisht janë dy thirrje të hapura që të rinjtë mund të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e tyre. Qendra e Personel Rekrutimit ka filluar regjistrimin e kandidatëve për ushtarë/detarë aktiv dhe kërkon të rekrutojë për periudhën 24.08 – 30.10.2020, gjithsej 250 kandidatë.
Një tjetër thirrje e hapur është edhe për studime në Qendrën e Studimeve Universitare, në Kosovë. Studimet ushtarake ndiqen pranë Qendrës për Studime Universitare të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe studimet e larta universitare në Institutin Rochester të Teknologjisë, në Kosovë.

Afati kohor për dorëzimin e dokumentacionit pranë Qendrës së Personel Rekrutimit është deri në 06 korrik 2020.
Të rinjtë e Matit mund të marrin më shumë informacion rreth kritereve që duhen për të dy programet e hapura për aplikim nëpërmjet faqes zyrtare të ministrisë së mbrojtjes mbrojtja.gov.al ose duke kontaktuar direkt me personelin e rekrutimeve që ndodhet pranë Detashmentit të Mbështetjes Rajonale Burrel.