Prej disa vitesh flutura kineze ka qenë prezente në rrethin e Matit duke dëmtuar dhjetra hektarë pyje me bush. Masakra më e madhe mjedisore nga kjo flutur është shkaktuar në luginën e Shkopetit, ku ka tharë thuajse të gjithë shkurret e bushit.

Por prej dy vitesh, kjo lloj fluture i është sulur edhe pemës së blirit. Siç duket nga pamjet, një numër i madh fluturash kineze kanë pushtuar pemët e blirit në fshatrat e Njësisë administrative Baz.

Banorë të fshatrave thonë se prej të paktën dy vitesh kjo flutur shfaqet në periudhën e lulëzimit të pemës së blirit.

Ndërkohë, specialist e pyjeve shprehen se në këtë fazë, flutura nuk është dëmtuese për pemën e blirit, pasi ajo vetëm sa ushqehet me nektarin e lules. Sipas ekspertëve, dëmin në bimësi flutura kineze e bën vetëm kur është në formën e larvës. Në këtë periudhë ajo konsumon thuajse të gjitha gjethet e pemës duke e çuar drejt tharjes.

Në rastin e sulmit të blirit, për ekspertët dëmi më i madh është se flutura kineze konsumon nektarin që mund ta merrte bleta. Prania e madhe e fluturës e bën thuajse të pamundur që në të njëjtën pemë të marrë nektar edhe bleta.

Universiteti Bujqësor i Tiranës ka nisur prej tre vitesh një studim për mënyrën se si duhet të luftohet ky insekt por ende nuk ka arritur në një përfundim.