Masivet me shkurren e bushit po zhduken dalëngadalë në të gjithë Matin. Zona e parë që u sulmua nga flutura kineze, ishte masivi në luginën e Shkopetit, por përhapja e saj është bërë në të gjithë territorin e rrethit Mat, ku ka prani të shkurres së Bushit.
Ky që shihni në këto pamje është masivi me Bush në fshatin Skënderaj të Njësisë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit. Edhe në këtë masiv, shkurret e bushit janë drejt tharjes së plotë pasi është i pushtuar nga flutura kineze.
Prania e kësaj fluture është në çdo shkurre të bimës së Bushit, ku vijon aktivitetin e saj biologjik. Ekspertët kanë përcaktuar si më të rrezikshëm larvën e fluturës e cila konsumon të gjitha gjethet e Bushit dhe i shkakton asaj një tharje të plotë.
Ndërkohë nga ana e pedagoëve të Fakultetit të Shkencave Pyjore në Universitetin Bujqësor të Tiranës ka nisur studimi se si mund të luftohet ky insekt, por deri tani nuk ka rezultate.
Flutura Kineze është e përhapur në të gjithë evropën, ndërsa në vendin tonë, sipas ekspertëve, mendohet se ka hyrë në verën e vitit 2019.