Rreth 70 fëmijë paraqiten çdo ditë në spitalin e Dibrës me simptoma të gripit stinor, por që një pjesë e tyre kanë rezultuar pozitiv me koronavirus. Mjeku pediatër pranë këtij spitali, Filip Cfarku thotë se që prej muajit Dhjetor të vitit të kaluar, fluksi i fëmijëve që paraqiten për vizitë ka qenë shumë i lartë. Sipas tij, një pjesë e fëmijëve kanë rezultuar të infektuar me Covid-19 dhe janë paraqitur aty për shkak të ngjashmërisë së madhe të simptomave me virozat stinore. Mjeku Cfarku shprehet se mosha e fëmijëve të prekur është nga 6 muajsh deri në 11 apo 12 vjeç, por për fat të mirë këta fëmijë nuk kanë patur nevojë për shtrim në spital për të trajtuar infeksionin. Aktualisht në repartin e pediatrisë në Spitalin Rajonal të Dibrës janë rreth 100 fëmijë të shtruar.

  Fluks i lartë fëmijësh vihet re edhe në spitalet e tjera të Qarkut të Dibrës si në atë të Bulqizës dhe Matit.