Të prekurit nga virozat stinore në Mat janë gjithnjë në rritje ashtu si në të gjithë vendin. Më të riskuar nga këto viroza janë fëmijët, kryesisht ato të moshës nga 0 deri në tre vjeç. Mjekja pediatre pranë Spitalit Bashkiak Mat, Marsida Kurti thotë se rastet gjatë muajit dhjetor dhe dy javëve të para të muajit Janar kanë ardhur në rritje, duke kapur shifrën e 40 deri në 50 raste në 24 orë.

  Nga ana tjetër, mjekja Kurti tha se asnjë nga rastet e paraqitura nuk ka qenë i infektuar me koronavirus, ndonëse mund të kenë qenë me simptoma të ngjashme.

Mjekja pediatre shton se rastet e paraqitura deri tani nuk kanë qenë ekstremisht të rënda pasi shumica e tyre janë trajtuar në banesë dhe vetëm disa janë shtruar në spital.

Për prindërit e fëmijëve të moshës nga 0-3 vjeç, por edhe për moshën më të rritur, mjekja pediatre Marsida Kurti këshillon që duhet të jenë të kujdesshëm sapo shfaqin simptomat e gripit. Po ashtu, një tjetër këshillë është edhe të ushqyerit e shëndetshëm gjatë kësaj periudhe.