Prej datës 26 mars kanë nisur aplikimet e fermerëve apo bashkimit në grupe të fermerëve e blegtorëve për të përfituar nga skemat mbështetëse financiare në bujqësi, dhënë nga qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Në zyrën e Ekstensionit Bujqësor në Mat ka patur një fluks të shtuar në këto dy ditë të fermerëve që kanë aplikuar për të përfituar paratë e naftës për mbjelljen e kulturave të ndryshme bujqësore. Ndërkohë, edhe pranë agro-pikave ka patur fluks të shtuar të blegtorëve që kanë aplikuar për të përfituar subvencionet për gjedhë, të imta, bletë etj. Përgjegjësi i Zyrës së Ekstensionit Bujqësor Mat, Dritan Pjeçi tha se fluksi i shtuar ka ardhur si rezultat edhe i informimit të hershëm të fermerëve, ndërsa shtoi se nisur nga ky interes, procesi mund të mbyllet brenda pak ditësh.

Aplikimet për të përfituar nga subvencionet në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë pritet të mbyllen me datë 19 Prill, ndërsa fermerët mund ta bëjnë aplikimin vetë ose të marrin asistencë pranë specialistëve në zyrën e ekstensionit në Burrel apo pranë Bashkisë së Klosit.